Vlorë, humbën në det të hapur shpëtohen 2 turistë britanikë

2015-08-21 0

TIRANE - Dy turistë me shtetësi britanike janë shpëtuar nga rojet bregdetare shqiptare, pas një operacioni kërkimi prej mëse 4 orësh në rajonin Palermo-Himarë.

Dy tursitët, baba e djalë, të quajtur Julian Lawrence Wily dhe Jordan James Wily, ishin nisur me jahtin me emër "Never sei Never", nga Spliti i Kroacisë me destinacion Korfuzin, por gjatë udhëtimit, iu ka mbaruar karburanti i mjetit lundrues.

Kjo ka ndodhur rreth orës 22:40 të mbrëmjes së 9 korrikut dhe të gjendur në det të hapur, kanë lëshuar sinjalin SOS.

Menjëherë rojet Bregdetare Shqiptare ndërmorën operacionin intensiv të kërkimit , i cili zgjati mëse 4 orë në rajonin Palermo-Himarë dhe dy turistët u gjetën pa asnjë problem shëndetësor.

"Dy turistët britanikë u lokalizuan dhe u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore rreth 10 milje larg bregut," thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Mbrojtes.

Sipas burimeve nga forcat detare, mjeti lundrues është rimorkiuar nga anija e Flotës Ushtarake P-120 dhe dërguar në portin e Himarës, ku gjendej deri në orët e mesditës.

Pas kryerjes së procedurave dhe furnizimit me karburant, jahti me dy turistët anglez do të niset drejt Korfuzit.

Ekuipazhi i anijes P-120 bëri shoqërimin në bregun e Himarës të dy turistëve, rreth orës 03:00.