Bangladeshi po përballet me një fenomen natyror, me përmasa të mëdha shkatërruese, ku siç ishte parashikuar nga meteorologët, cikloni "Mahasen", ka mbërritur në verilindje të Gjirit të Bengalit. Autoritetet dhanë të mërkurën, 15 maj, alarmin për një stuhi të përmasave të mëdha që po i afrohet brigjeve nga Deti Indian. Dhjetëra mijëra banorë të zonave të ulta bregdetare janë evakuar nga shtëpitë e tyre për vende më të sigurta. Aktualisht, në Dhaka ku vendi vazhdon të vajtojë 1 200 viktimat si pasojë e shembjes së një ndërtese në qendër të saj ka klasifikuar rrezikun në 7, në një shkallë nga 1-10 dhe i ka kërkuar mijëra banorëve që të shpërngulen nga shtëpitë e tyre. Erërat arritën një shpejtësi deri në 100 km në orë duke sulmuar bregdetin ku vala e detit u ngrit deri në 2 metra. Gjithashtu priten shira të rrëmbyer që mund të shkaktojnë përmbytje të mëdha. Sipas Kombeve të Bashkuara jeta e më shumë se 4 milionë personave është e kërcënuar nga ky ciklon i fuqishëm.