- Ministri i Teknologjisë Genc Pollo po i shkakton një dëm prej 25 milionë eurosh shtetit me veprimet e mosveprimet e tij në kuadër të organizimit të një tenderi për dixhitalizimin e rrjetit të transmetimeve audiovizive në Rapublikën e Shqipërisë. Ky është thelbi i një kallëzimi për ndjekje penale, të dorëzuar dje në Prokurori nga dy deputetë të opozitës, Taulant Balla dhe Alfred Dalipi.
TENDERI
Sipas tyre, tenderi ndërkombëtar për garën koncesionare "Për Financimin, Projektimin, Ofrimin, Instalimin, Trainimin dhe Transferimin e Rrjetit DVB-T2 për Republikën e Shqipërisë", parashikuar për t'u zhvilluar më 13 maj, me një fond limit të papërcaktuar po zhvillohet në shkelje të kushteve që parashiko ligji. Kjo, "për të krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për të tretët".
SHKELJET
Në padi vihet në dukje se në kërkesat për kualifikimin e subjekteve të huaja janë vendosur, nga njësia e prokurimit, kritere të cilat janë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimeve në Republikën e Shqipërisë. Dhe, kjo procedurë po kryhet me qëllim për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, nisur nga motivet se e ka të afërm, mik, shok apo interesa të tjera materiale ose morale.
Specifikimet teknike në garën koncesionare "Për Financimin, Projektimin, Ofrimin, Instalimin, Trainimin dhe Transferimin e Rrjetit DVB-T2 për Republikën e Shqipërisë", janë të pamiratuara nga Radio Televizioni Shqiptar si përfituesi direkt i këtij projekti.
Nga ana tjetër, konstatohet se mungon një projekt i qartë zbatimi dhe një studim fizibiliteti për projektin.
Një shkelje tjetër e konstatuar është fakti se autoriteti kontraktor shpall qëllimisht data të ndryshme për këtë tender ndërkombëtar: data 6 maj 2013 në gazetën ndërkombëtare "Financial Times" dhe datën 3 maj 2013 sipas dokumentacionit të publikuar ne portalin e krijuar enkas: www.dso.mitik.gov.al.
Këto përcaktime bien në kundërshtim me ligjin "Për Prokurimin Publik", sipas të cilit autoritetet prokuruese "duhet të përcaktojnë sa më saktë dhe në mënyrë sa më të plotë objektin e prokurimit për të krijuar kushte për një proçedurë të paanshme ndërmjet të gjithë kandidateve".
Gjithashtu kompanive të interesuara nuk u jepet mundësia për sqarime në formë shkresore, ata nuk njoftohen qëllimisht për ankesat. Data e zhvillimit të tenderit është 13 maji 2013, ndërkohë marrja e vendimit dhe shpallja e fituesit do të jetë 17 maj 2013, duke mos u lënë mundësinë operatorëve ekonomikë të ankohen.