E mërkurë, 27 korrik 2011, Tiranë - Albtelecom në bashkëpunim partnerin italian Telekom Italia Sparkle kanë prezantuar në një konferencë të përbashkët për shtyp programin e tyre për rritjen e kapacitetit të linjës optike Bari-Durrës për transmetime deri në 20 Gbps, që do të thotë 8 herë më i lartë se kapaciteti ekzistues (2.5 Gbps). Ndërkohë që ky rrjet lejon rritjen e kapacitetit deri në 80 Gbps.
Të pranishëm në këtë konferencë kanë qenë Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom dhe Eagle Mobile Dr. Orhan Coskun, Drejtori i Përgjithshëm i Telecom Italia Sparkle (TIS) z. Paolo Ferrari, Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, z. Genc Pollo dhe kryetari i AKEP z. Piro Xhixho.
Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom dhe Eagle Mobile Dr. Orhan Coskun theksoi se kjo ishte një ngjarje e rëndësishme për Albtelecom. Duke dhënë një panoramë të qartë të investimeve të mëdha dhe rritjes së kapaciteteve të shërbimit, z. Coskun theksoi se çdo investim ka për qëllim rritjen e kënaqësisë së abonentëve, dhe ofrimin e shërbimeve me çmime mjaft të arsyeshme.