Ky është momenti kur dy persona të maskuar e veshur me të zeza, i dalin para makinës ku udhëtonte Bledar Birçaj, duke e lënë atë të vdekur. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur këtë të hënë në qytetin e Vlorës, ku 40-vjeçari u ekzekutua në mënyrë mafioze në mes të ditës.
Viktima mund të shihet teksa vjen me këtë makinë BMW, ndërkohë që para tij ndodhet një automjet tjetër. Autorët qëndrojnë në një makinë të bardhë me xhama të zinj në një kryqëzim duke pritur objektivin. Duke përfituar edhe nga fakti që 40-vjeçari po ecte ngadalë, autorët i afrohen dhe qëllojnë me breshëri automatiku. Në këtë moment, makina që ndodhej para tij largohet me shpejtës. Makina që drejtohej nga Birçaj ndalon.
Pasi sigurohen që kanë qëlluar mjaftueshëm plumba, autorët futen me shpejtësi në makinën e tyre. Në këtë moment njërit prej tyre i bie arma në tokë. Ai kthehet dhe e merr dhe më pas të dy autorët largohen me shpejtësi.
Në makinë bashkë me viktimën ndodhej edhe një pasagjer, i cili i shpëtoi për mrekulli plumbave. Në pamje ai mund të shihet që del nga mjeti dhe ikën me vrap, thuajse njëkohësisht me momentin kur autorët largohen nga vendi i ngjarjes.
Pamjet në fjalë u publikuan mbrëmjen e kësaj të hëne në “Opinion”, nga gazetari Artan Hoxha./tvklan.al