Liga Profesioniste e Futbollit ka zhvilluar sot një mbledhje e cila zgjati për më shumë se dy orë nga e cila u mor një vendim i rëndësishëm përsa i përket bojkotit të kampionatit, që sot duhet të kishte mbyllur javën e tretë. Liga thotë jo vetëm që bojkoti nuk do të ndërpritet, por me datë 10 tetor do të ketë një protestë masive të futbollistëve, për shkak se qeveria nuk ka reaguar ndaj katër kërkesave të saj.
Njoftimi i Ligës:
Anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit u mblodhën sot për të diskutuar në lidhje me çështjet organizative dhe me vijimin e bojkotit të kampionatit të Kategorisë Superiore.
Gjatë diskutimeve Asambleja e Ligës u dakordësua për hapat e mëtejshëm në luftën për plotësimin e katër kerkesave të Ligës drejtuar qeverisë.
LPF do të intensifikojë kontaktet me negociatorin e qeverisë z. Fidel Ylli dhe për këtë ngarkohet Kryetari i Ligës dhe Sekretari i përgjithshëm për te ndjekur hap pas hapi ecurinë dhe reagimin e qeverisë pas dërgimit të relacionit shpjegues për kërkesat e Ligës.
LPF është e vendosur për vazhdimin e bojkotit dhe përshkallëzimin e protestave, duke projektuar protestën masive të futbollistëve më datë 10 tetor 2020. Për këtë do të ngrihet një grup pune për organizimin e saj dhe sensibilizimin e opinionit publik.
Deri më tani nuk kemi asnjë reagim nga qeveria për kërkesat e Ligës. Anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit mbeten shpresëplotë për një përgjigje sa më shpejtë nga ana e qeverisë dhe për veprime konkrete në shqyrtimin dhe plotësimin e këtyre kërkesave që mund të sjellin zgjidhjen e ngërçit të krijuar.