TIRANË- "Ndodh një tërmet i madh politik, ndryshoi Kushtetuta, kështu që jemi të detyruar të ndryshojmë Kodin"! Kështu e argumentoi Damian Gjiknuri propozimin e PS për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore gjatë shqyrtimit të propozimeve në Komisionin e Ligjeve.
Duke marrë si shembull Bashën dhe Kryemadhin, përfaqësuesi i mazhorancës shpjegoi pse sipas tij, është e pamundur të ruhen koalicionet parazgjedhore me lista të hapura.
Për shembull, Lulzim Basha numri 1 në Tiranë, Monika Kryemadhi numri dy dhe treshin ja lemë Shpëtim Idrizit. Unë po tregoj si do jenë listat e opozitës sipas mendimit tim! Si e mendoj unë listën po të isha Lulzim Basha, po s'jam. Elektorali është i qartë, edhe numri 2 edhe numri 5 është i qartë i LSI-së! Pra nëse zgjidhet, Monika atje thotë është mandati i LSI-së. Numri 5 zgjidhet Brahimllari, pra ata janë të qartë dhe formojnë grupin e tyre parlamentar?, tha Gjiknrui.
Por për Myslim Murrizin, marrëveshja e 5 qershorit nuk është as bibël dhe as Kuran. Nëse votohet drafti i PS, pa marrë në konsideratë propozimet e opozitës në Kuvend, deputeti Murrizi paralajmëroi se do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. " Nëse kaloni këtë draft do ta çojmë në Kushtetuese. Edhe Verr Llapa të jetë gjykatës e hedh poshtë", tha Murrizi.
Nga gjithë debatet e krijuar për çështjen e listave dhe koalicioneve, Ralf Gjonit i duket sikur është njëherë në serialin "Games Of Thrones" dhe njëherë në filmat e Rackapurit, sipas së cilit të trija partitë e mëdha po luftojnë për fronin, por "janë bashkë në këtë valle".