Report TV -COVID-19/ Protokollet e sigurisë për hapjen e pishinave të mbyllura

2020-12-23 0

Hapja e pishinave të mbyllura më 1 tetor ka sjellë edhe përcaktimin e protokolleve të sigurisë anti-covid, në mënyrë që të shmanget rritja e rasteve të të infektuarve. Ajo që theksohet që në fillim të protokollit të sigurisë për pishinat e mbyllura është se evidentimi qoftë edhe të një rasti të vetëm në strukturat e tyre do të sjellë mbyllje të aktivitetit, pavarësisht hetimit epidemiologjik.

Asnjë klient nuk do të lejohet të hyjë brenda me temperaturë 37.5, ndërsa numri i përcaktimit të personave brenda pishinave të mbyllura do të përcaktohet në bazë të kapacitetit maksimal të aktivitetit, ku një personi i takon një hapësire prej 3 metrash katrorë. Në bazë të saj do përcaktohet edhe numri maksimal i klientëve që do lejohen.

Pishinat do të jenë me orar ku do të jetë administratori i subjektit që do të përcaktojë orarin dhe grafikun e specifikuar dhe do lajmërojë klientët, ndërsa nuk do të lejohet hyrja e tyre para orarit të përcaktuar.

Peshqirët duhet të sillën nga vetë klienti dhe të përdoren vetëm nga një person, ndërsa maska është e detyrueshme si për stafin por edhe për klientin kur ai ndodhet rreth pishinës. Në hyrjen në dhomës së zhveshjes duhet të sigurohet distanca 1.5 metër. Gjithashtu në pishinat e mbyllura duhet të evitohen grumbullimet e skuadrave dhe grupeve të notit, por në rast se aktiviteti i tyre duhet kryer atëherë duhet të merren parasysh korsitë alternative duke krijuar korsi me një drejtim.

Subjekti duhet të sigurojë mjetet higjieno-sanitare, dezinfektuesit, pastruesit e duarve, pastrimin e sipërfaqe vazhdimisht gjatë ditës. Ambientet duhet të dezinfektohen minimumi 3 herë në ditë, në hapje të tij, gjatë ditës dhe para mbylljes.