Gjykata e Kukësit caktoi këtë të martë (22 shtator) masën e sigurisë arrest me burg për këngëtaren Fjolla Morina e cila u arrestua pak ditë më parë për kalimin e armëve të zjarrit në kufi.
Për këtë çështje, avokati Saimir Vishaj thotë në një intervistë për Report Tv se vendimi i gjyqtares është i drejtë dhe në zbatim të plotë me ligjin. Ai thotë se hetimi do të vijojë dhe më pas do të jepet vendimi përfundimtar për këngëtaren pasi do të analizohet dhe lidhja me 2 të arrestuarit e tjerë nëse ka qenë në bashkëpunim.
"Vepër penale që pas ndryshimeve të reja nuk e ka gjykata e krimeve të rënda. Është një vendim i ligjshëm, është një kompetencë e gjykatës. Është e drejtë dhe nuk ka dhënë pafajësi. Do të thotë që ajo do të hetohet. Ne nuk duhet të paragjykojmë. Edhe pak ditë më parë SPAK-u vendosi për arrest me shtëpi për një gjykatëse për korrupsion. Mendoj se gjykata i ka analizuar të gjitha aspektet e këtij arrestimi pavarësisht se për veprën penale dënohesh deri në 20 vite. Gjyqtarja ka vepruar sipas ligjit. Me vendosjen e masës së sigurisë, arrestin në shtëpi ajo ka zbatuar ligjin. Duhet të lëmë të qetë gjyqtarët dhe prokurorët që të bëjnë punën e tyre. Kukësi është qytet i vogël. Imagjinoni se sa i madh është presioni mbi këta. Nëse këngëtarja largohet nga banesa atëherë do i rëndojë një tjetër akuzë. Nuk ka lidhje nëse e ka pohuar vetë këngëtarja. Është hetimi që do të vendosë përfundimisht nëse ka një bashkëpunim me personat e tjerë të arrestuar" - tha Vishaj.
Ndërsa për raportin fals se ishte shtatëzënë, Vishaj tha se është në dorë të prokurorisë për të bërë hetimet. Ai tha se nëse vërtetohet se këngëtarja ka korruptuar mjekun për të bërë një raport fals, atëerë mbi të do të rëndojë një tjetër akuzë.