Ekspertiza e ODIHR është kthyer në një "mollë sherri" në tryezën e Këshillit Politik mes palëve teksa opozita kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve.
Ndërkohë pas takimit, Damian Gjiknuri thotë se ekspertiza e ODIHR kërkohet vetëm në momentin kur kemi një draft dhe jo me teori.
Ai thotë se kjo është një tentativë për të hedhur në erë procesin dhe të krijojnë një krizë artificiale.
"Të gjithë e patë që sot PD bojkotoi këshillin politik me të njëjtat qëndrime. Kanë synim të hedhin në erë këtë proces dhe të krijojnë një krizë artificiale. Është një sebep për të mos treguar krizën e brendshme të opozitës. Këtu po bëhen sikur po zihen për procedura. ODIHR është organizatë e specializuar mbi produkte konkrete. Ne sollëm një draft konkret. Parashikohet vota parapërlqyese për çdo kandidatë. Konflikti është i stisur pasi ODIHR shprehet mbi draftin. Në tetor fillon KQZ dhe nuk mund ta çojmë konfliktin deri atëherë. Le të vijnë me rekomandime konkrete. Variantin tonë e gjeni në çdo variant europian. Opozita nuk kërkon që të qëndrojnë në këshill. Unë i bëj thirrje, hajde të diskutojmë mbi draftin që dorëzuam. Nuk mund të kërkojnë një ekspertizë kur nuk kemi një draft. PD të bëjë njëherë koment mbi draftin. Nuk ka ndodhur që në një institucion të shkohet me ide teorike. Partitë vendosin kandidatët e tyre, elektorati e di shumë mirë se për kë do votojnë. Ky është sistemi i njohur në Europë. Nëse ata nuk vijnë kuvendi ka një detyrë. Ndaj dhe unë deri më 30 shtator të dorëzoj draftin për kodin zgjedhor" - tha Gjiknuri.