Kodi Zgjedhor dhe ligji për presidentin/ Ngrihen 2 grupet e punës me nga 3 anëtarë (EMRAT)

2020-12-05 0

TIRANË- Disa orë para mbledhjes së Këshillit politik për ndryshimet Kushtetuese, Komisioni i ligjeve miratoi ngritjen e grupit të punës për ndryshimet që do nevojiten të bëhen në Kodin Zgjedhor.

Në projektvendimin e zbardhur nga Report Tv, janë përcaktuar dhe tre deputetët të cilët do të jenë në grupin e punës. Bëhet fjalë për Damian Gjiknuri, Klotilda Bushkën nga PS, nga opozita parlamentare Korab Lita. Këta tre deputetë kanë afat deri në 30 shtator për të hartuar në bashkëpunim me ekspertët e reformës zgjedhore të gjitha ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do përcaktojnë sa do hapen listat, heqjen e koalicioneve parazgjedhore dhe përcaktimin e pragut elektoral.

Por paralelisht, një grup tjetër deputetësh do të punojë për ligjin organik për presidentin, me anë të të cilit shumica socialiste synon të kufizojë disa prej kompetencave të kreut të shtetit, si rezultat i përplasjeve të shumta që kanë pasur në muajt e kaluar. Në këtë grup do të jenë deputetët Vasilika Hysi, Adnor Shameti dhe Alban Zeneli të cilët kanë afat deri në 15 tetor për të hartuar ligjin për presidentin.

Ndërkohë, Këshilli Politik mblidhet pasditen e kësaj të hëne për të gjetur dakordësinë për ndryshimet që do bëhen në Kodin Zgjedhor në mënyrë që të realizohen deri para nisjes së fushatës zgjedhore.