Një aksident tragjik është shënuar mbrëmjen e sotme në dalje të tunelit të Elbasanit, ku 2 persona kanë humbur jetën dhe 2 të tjera kanë mbetur të plagosura. Një makinë tip 'Benz' më targa AB 209 AD ka goditur nga pas një makinë tip 'volkswagen', me targa AA 409 VE. Aksidenti i mori jetën njërës prej motrave, ndërsa ka lënë të plagosur rëndë motrën tjetër.
Të plagosurat është identifikuara si Denisa Dibra, 25 vjeç e cila ishte edhe pronarja e mjetit tip volkswagen dhe Nervida Garuja, 24 vjeç. Ndërsa Lusinda Garuja dhe Zheneta Qallia,banuese në Shkodër janë dy viktimat, të cilat ishin pasagjere në sediljen e pasme dhe kanë marrë dëmtimet më të mëdha nga përplasja duke ndërruar jetë sapo mbërritën në spital për shkak të plagëve të rënda. Nervida Garuja, 24 vjeç dhe Lusinda Garuja, 19 vjeç ishin motra.Në mjetin tip 'volkswagen' udhëtonin 4 vajzat, ndërsa përplasja ka qenë aq e fortë sa makina është shkatërruar totalisht dhe të 4 pasagjeret kanë mbetur të bllokuara në mjet. Është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses me mjetet prerëse që të bënin të mundur nxjerrjen e tyre nga mjeti i dëmtuar.
Të katër vajzat kanë dalë me shenja jete dhe janë dërguar në spitalin e Elbasanit, por dy prej tyre nuk kanë mundur të mbijetojnë duke humbur jetën në spital. Dy të plagosurat e tjera janë në gjendje kritike për jetën, dhe janë dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Njërës prej vajzave i është vendosur një tub në gjoks për shkak të gjendjes më të rënduar.
Shkak i aksidentit dyshohet se ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe gjendja e dehur e drejtuesit të mjetit tip "Benzi" Behar Pema, 58 vjeç, i cili ka përplasur nga pas makinën me të cilën udhëtonin vajzat. 58-vjeçari drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 093 mg/l testi i parë dhe 0.99 mg/ l testi i dytë. Ai është arrestuar nga policia.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit tragjik, ndërsa detaje të reja pritet të dalin nga përplasja e fortë mes dy mjeteve, ku mbetën dy viktima.