TIRANË- Tre vatra zjarri regjistruar gjatë ditës së sotme në Tiranë, më konkretisht në Lundër, Kashar dhe Priskë, me këtë të fundit që vijon që prej mbrëmjes së djeshme. Në një lidhje telefonike në Report Tv, Kreu i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj ka bërë me dije se në Lundër dhe Kashar janë neutralizuar flakët, ndërsa në Priskë zjarri është aktiv ku është e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit të thepisur. Goxhaj ka bërë me dije se në Priskë po angazhohen 70 forca zjarrfikëse, teksa i është përgjigjur edhe presidentit Ilir Meta i cili akuzoi se nuk ka asnjë punonjës në terren. Â
"Ato pamje që ka shfaqur Meta janë marrë nga punonjësit tanë që janë në vendin e ngjarjes, kemi bashkëpunuar dhe me organet që na përcakton ligji dhe gjatë natës ka qenë e pamundur dhe ndërhyrja këtu është e vështirë se është terren i thepisur rrezikojmë jetën e zjarrfikësve tanë. 70 forca zjarrfikës dhe nga ushtria janë në terren. Para 8 vjetësh ka rënë një zjarr në Priskë që u shua pas 1 jave. Do të bëjmë maksimumin, nuk do të dëmtohet asnjë pemë frutore", tha Goxhaj për Report Tv.
Goxhaj ka sqaruar se aktualisht nuk është bërë ndërhyrja nga ajri në Priskë, pasi vendimi final i takon Ministrisë së Mbrojtes.
"Ndërhyrja nga ajri e bën Ministria e Mbrojtjes, pastaj koordinohemi me prefektin dhe emergjencat në Bashki, çdo gjë varet nga Forcat ajrore, ndoshta ka dhe në zona të tjera që rrezikojnë banesat e qytetarëve dhe është një skuadër që nuk varet nga shërbimi zjarrfikës, ato janë në terren", tha Goxhaj.
Për kreun e Shërbimit Zjarrfikës nga korriku deri më tani në Tiranë janë regjistruar 150 vatra zjarri, pjesa më e madhe e të cilave ka qenë e qëllimshme. "Nga korriku deri tani në Tiranë kanë qenë mbi 150 vatra zjarri që nuk kanë shkaktuar dëm as në pronën e qytetarëve dhe kjo ka ndodhur falë këtyre punonjësve.  Jemi në total rreth 170 forca zjarrfikës dhe vullnetar për të shuar zjarret. Sidomos ditën e fundit kemi pasur zjarrvënie të qëllimshme, dje në Tiranë 7 vatra zjarri në shkurre, pyje e kullota. Në zonën e Ndroqit, janë shoqëruar 2 qytetarë dhe është vërtetuar që kanë qenë të qëllimshme. Donin të hapnin toka bujqësore, po zjarri në zonën e malit të Priskës, mendoj se është i qëllimshëm. Arsyeja e dinë të gjithë qytetarët, por nuk i paragjykojmë dot deri në përfundim të hetimeve", përfundoi Goxhaj në Report Tv.