KORÇË- Dy persona janë venë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim pasi u kapën duke transportuar 25 emigrantë të paligjshëm.
Përmes operacionit "Perimetri" janë arrestuar në flagrancë A. K., 19 vjeç, banues në Shkodër, u bë ndalimi me urdhër të Prokurorisë i shtetasit L. B., 26 vjeç, si edhe u shpall në kërkim shtetasi E. Sh., 27 vjeç, banues në Tiranë.
A. K., është kapur nga punonjësit e Komisariatit të Policisë Devoll, në rrugën nacionale Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Cangonj, duke transportuar me mjetin furgon tip "Benz" 25 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se edhe dy personat e tjerë janë të implikuar në këtë ngjarje si bashkëpunëtorë të 19-vjeçarit A. K. Sipas policisë, materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim".