Mirditë, rrëshqitja e tokës/ 2 vite pas shembjes së shtëpive, banorët: Nuk kemi marrë dëmshpërblimet

2020-12-05 2

Dy vite e gjysëm pas shembjes së banesave si shkak i rrëshqitjes së tokës në fshatin Blinisht të Mirditës, banorët ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet.

Përballë kësaj situatë ata protestuan këtë të martë para prefekturës së Lezhës, duke kërkuar zgjidhje të problemit të tyre. Sipas banorëve i gjithë dokumentacioni iu është përcjellë institucioneve qendrore, por ende nuk është dërguar për miratim pranë Këshillit të Ministrave. Ata paralajmërojnë bllokim të Rrugës së Kombit, pasi rrëshqitja e dherave ka ardhur nga papërgjegjshmëria e institucioneve gjatë ndërtimit të autostradës.

Një përfaqësi e banorëve u takua me prefektin e Lezhës Gjok Jaku. Ai garantoi banorët se shqetësimin e tyre do t'ia përcjellë në instancat përkatëse me qëllim që problemi i tyre të marrë zgjidhje.

Rrëshqitja e tokës në Blinisht të Mirditës nisi gjatë ndërtimit të Rrugës së Kombit në vitin 2008, duke bërë që situata të agravojë dhe në vitin 2018 rrëshqiti i gjithë fshati duke sjellë dëmtimin e afro 25 banesave.