25 prilli do të shënojë ditën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 2021. Presidenti Ilir Meta ka nxjerrë sot dekretin e datës së zgjedhjeve, i cili hyn në fuqi në mënyrë të menjëhershme.
Përcaktimi i datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare nga kreu i shtetit Meta u bë pas konsultimeve që zhvilloi me të gjitha palët politike në vend.
Gjatë konsultimeve që zhvilloi të premten më 4 shtator konsultime me përfaqësuesit e të gjitha partive politike në vend, ku ajo që ra në sy ishte se partitë e mëdha PS, PD dhe LSI nuk u shprehen për një datë konkrete, por i lanë të hapura opsionet përveç 2 majit që është festa e Pashkëve.
Sipas burimeve kryeministri Rama tha se është dakord me çdo datë përveç 2 majit dhe një gjë të tillë tha dhe Kryemadhi se "dita e zotit është e zotit" dhe se do të respektojë çdo datë që do vendosë presidenti. Basha nga ana tjetër tha se shqiptarët duhet të kishin bërë zgjedhjeve që dy vite më parë, pa shprehur data.
E vetmja që kërkoi 2 majin si datë të zgjedhjeve ishte Rudina Hajdari, e cila u shpreh se shqiptarët mund të festojnë dhe votojnë njëkohësisht. Partitë e vogla kërkuan 18 prillin si datën më të afërt që lejon Kushtetuta për mbajtjen e zgjedhjeve.
Duket se mes të gjithë opsioneve të partive, kreu i shtetit Ilir Meta ka caktuar datën 25 prill, si mënyrën për të kënaqur të gjitha palët. 25 prilli bie në javën e dytë të kohës më të afërt që lejon Kushtetuta ndryshimet e reja në kodin zgjedhor, ku periudha e mbajtjes së zgjedhjeve është nga 15 prill - 15 maj.