TIRANË- Kjo e premte (4 shtator) ka shënuar një rritje të lehtë të rasteve të reja me koronavirus në vendin tonë, teksa për më shumë se një javë ka një bilanc pozitiv të të shëruarve. Në bilancin ditor, Ministria e Shëndetësisë bën me dije se janë konfirmuar pozitiv me koronavirus 123 qytetarë, teksa fatkeqësisht kanë humbur jetën 5 pacientë. Ky bilanc ka ardhur si rezultat i 857 testimeve të kryera në spitalet shtetërore dhe ato provate të licensuara.
"Nga 857 testime të kryera, janë identifikuar 123 qytetarë të prekur nga virusi SARS COV2. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen; një 56 vjeçar nga Cerriku një 80 vjeçar nga Kurbini, një 82 vjeçar nga Elbasani dhe 2 qytetare nga Tirana : një 68 vjeçare dhe një 77 vjeçare", njofton Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor. Duke folur me gjuhën e shifrave, që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë, pra prej 6 muajsh, janë konfirmuar pozitiv 9967 pacientë dhe 306 viktima.Një lajm i mirë është se kanë lënë spitalin pacientët që COVID-i i kishte lënë me pasoja. Ndryshe nga një ditë më parë (32), aktualisht vijojnë të jenë të shtruar 20 pacientë.
"Gjithashtu në dy spitalet COVID janë duke marrë shërbim të specializuar 20 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes", njofton Ministria, ndërkohë që në spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" po trajtohen 190 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 18 prej të cilësve në terapi intensive, ku 8 pacientë janë të intubuar.
Apeli i Ministrisë së Shëndetësisë është për mbajtjen e maskave në ambientet e mbyllura.
"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë të kujdesshëm në zbatimin e rregullave të higjienës, distancimit dhe vendosjes së maskës. Maskat janë një domosdoshmëri për t?u mbajtur kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh. Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetëizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve", përfundon Ministria e Shëndetësisë.