BERAT- Në shkollat e Beratit po bëhen përgatitjet e fundit, si lyerje dhe dezinfektim për të pritur nxënësit më 14 shtator. Mësimi do të zhvillohet me dy turne në të gjitha shkollat e qytetit dhe me një turn në fshat.
"Është planifikuar që zhvillimi i procesit mësimor të zhvillohet me dy turne në shkollat e qytetit pasi ka një numër të konsiderueshëm nxënësish. Turni i parë 08:00 me 11:15, bëhet dezinfektimi i ambienteve dhe zhvillohet turni i dytë nga 11:45 deri në 15:00", u shpreh Marilda Frashëri, juriste e ZVA së Beratit.Në intervistën për Report Tv, juristja e Zyrës Vendore të Arsimit theksoi se për herë të parë në bankat e shkollës do të ulen 552 nxënës. "Për herë të parë këtë viti mësimor kemi 552 nxënës të klasave të para në institucionet arsimore publike dhe private".
Frashëri pohoi se aktualisht ka disa mësues të prekur nga Covid-19, por ata janë karantinuar në banesat e tyre.
"Kemi hasur disa raste sporadike. Mësuesit e infektuar nuk janë paraqitur në shkollë, janë vetëkarantinuar për të mos shkaktuar përhapjen e virusit", u shpreh ajo.
Sakaq, po merren masa për mësues në dispozion që do të zëvendësojnë përkohësisht kolegët e tyre që janë prekur nga covid-19.