Funksionarë të lartë të partive politike vazhdojnë të emërohen në poste kyçe në institucionet shtetërore dhe publike. Kjo praktikë asnjëherë nuk ka ndaluar të zbatohet në vendin tonë edhe përskaj kritikave të ashpra të ndërkombëtarëve për përzierjen e partisë dhe shtetit. Në pushtetin aktual, dy sekretarët e përgjithshëm të dy partive politike LSDM dhe BDI, me angazhime të rëndësishme në parti, Lupço Nikollovski dhe Artan Grubi, janë edhe zëvendëskryeministra. VMRO-DPMNE-ja vlerëson se me ardhjen në pushtet të LSDM-së, situata me këtë fenomen është përkeqësuar.
?Unë do të thosha se në tre vitet e pushtetit të LSDM-së dhe BDI-së vetëm u mbindërtuan të gjithë fenomenet e mëhershme negative të lidhjes së partisë me shtetin dhe ju vetëm më jepni një shembull plotësues që tregon se ky proces vazhdon. Kjo është vetëm një shembull tjetër për dyfytyrësinë politike të këtij pushteti. Nëse doni të bëni diçka ndryshe nga gabimet që janë bërë në të kaluarën, do të merrnit masat konkrete që ata të mos përsëriten- deklaroi Timço Mucunski, VMRO-DPMNE.
Për Aleancën për Shqiptarët, nuk ka asgjë kontestuese në funksionet e këtilla.
?Partia mund të zgjedhë ekspert mos mund të zgjedhë edhe ndonjërin prej eksponentëve. Kjo nuk është në kundërshtim as me ligjin dhe me asnjë rregullore. Është vendim partie- Arben Taravari, sekretar i Aleancës për Shqiptarët.
Statuti i LSDM-së ndalon që sekretari i partisë të marrë funksion në ekzekutiv, megjithatë sipas Zaevit, funksioni i Nikollovskit si zv/kryeministër për luftë kundër korrupsionit llogaritet si koordinues meqë nuk ka resor konkret. Në të ardhmen, për t?i hapur rrugën mundësisë që sekretari i përgjithshëm të partisë të jetë edhe ministër, LSDM-ja paralajmëron ndryshim të statutit të saj.
Analistët e vlerësojnë si jo aq dramatike, duke qenë se vendi jonë ka qeveri politike kurse këto përzgjedhje janë karakteristikë për gjithë Evropën. Për të bërë një ndarje mes partisë dhe shtetit, Albert Musliu sugjeron që eksponentët të jenë më të kujdesshëm në paraqitjet e tyre.
?Mendoj se përmirësim në atë drejtim ka. Kanë qenë më të kujdesshëm. Duhet të jenë akoma më të kujdesshëm veçanërisht në paraqitjet e tyre publike. Ministrat dhe të gjithë funksionarët duhet të jenë të kujdesshëm kur prezantojnë sepse nuk prezantojnë interesat e partisë, por interesat e Qeverisë ose ndonjë institucioni tjetër publik qe e menaxhojnë- pohoi Albert Musliu, analist.
Përzierja e partisë dhe shtetit bëhet më e theksuar gjatë fushatave zgjedhore, kur në kurriz të shtetit, partitë që kanë pushtetin zhvillojnë fushatë për përfitime partiake.
Fatlume Dervishi