Bazuar në precedentin e Arta Markut dhe kërkesën e Vitore Tushës për të marrë pjesë në mbledhje e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani pritet të rikthehet në KED gjatë muajit shtator. Çështjen e së drejtës së Ardian Dovoranit për të ushtruar mandatin e anëtarit të KED deri në fund të vitit 2020, edhe pse nuk është më anëtar i Gjykatës së Lartë, KED do ta diskutojë në mbledhjen e radhës. Një diskutim të tillë Këshilli e ka konsumuar edhe për Arta Markun në fillim të vitit 2020, ku të gjithë anëtarët u shprehën pro ushtrimit të mandatit të plotë njëvjeçar nga zonja Marku, edhe pse në 5 dhjetor 2019, ajo u zëvendësuar nga Olsian Çela në postin e kryeprokurores.
Ndërkaq, pas kërkesës së Ardian Dvoranit drejtuar Vitore Tushësh që drejton KED në cilësinë e zëvendëskryetares, duke shprehur vullnetin për t?u rikthyer në KED, ka reaguar i alarmuar ish-kryeministri, Sali Berisha. Përmes një reagimi, Berisha ka pohuar se Dvorani, i cili sipas tij e ka vendin në burg, po kërkon të marrë KED, me mbështetjen e qeverisë. Berisha e ka shpallur armik Dvoranin që kur ky i fundit sfidoi në vitin 2012 urdhrin e koduar të Berishës për të votuar pro pafajësisë së Ilir Metës në Gjykatën e Lartë. Nga trupa gjykuese me pesë anëtarë, vetëm Dvorani votoi kudra pafajësisë së Metës, për të cilin Prokuroria kërkonte të dënohej me dy vite burg për korrupsion. Po pse Sali Berisha është i alarmuar nga rikthimi i Dvoranit? Arsyeja ka të bëjë me balancat e numrave në KED.