Report TV -Kapshtica mbushet që në mëngjes, qytetarët: Sot na skadon tamponi, do rrimë në kufi

2020-11-05 1

Të shtunën në pikën kufitare me Greqinë në Kapshticë u krijua sërish radhë pasi ishin të shumtë qytetarët të cilët kërkonin të kalonin në vendin fqinj. Por duke qenë se kuota prej 300 vetësh u plotësua herët, mjaft të tjerë qëndruan në radhë, duke pritur mëngjesin e sotëm.

'Report Tv' mëson se të gjithë ata që mbrëmë pritën në radhë, duke mos u kthyer mbrapsht apo shkuar në hotele, kanë kaluar për në Greqi mëngjesin e sotëm. Por ky fluks ka bërë që kuota e sotme të plotësohet shumë shpejt. Më ekzaktësisht rreth orës 07:40 .Kjo ka bërë që të krijohet një shqetësim, ndoshta edhe për mosakordim të palës greke, sepse shumë persona që qëndrojnë në kufi shprehen se sot u skadon afati për të kaluar, në një kohë kur kuotat ua kanë zënë ata që qëndronin në radhë dje. Siç duket Greqia jep më shumë se 300 konfirmime në ditë për pikën kufitare të Kapshticës.

"Vij nga Tirana dhe sot më përfundon tamponi në orën 2. Ndërkohë nga aplikimi online kam marrë konfirmimin për të kaluar sot. Unë u dogja. Do qëndroj këtu me shpresën se mund të kaloj,"-shprehet një emigrant.

Ndërkohë një tjetër deklaron: "Po pres dhe unë si të gjoithë të tjerët, më mbaron sot. Lejen e kam marrë. Situatë shumë e rëndë. paguaj biletën, paguaj të gjitha dhe të kthejnë mbrapsht."

Sakaq kishte edhe ata që ishin shumë të revoltuar me shtetin: "Nuk ka shtet, nuk ka asnjë kulturë. Na shkatërruan, se kam 20 vjet që kaloj këtu. Unë do kthehehm mbrapsht dhe do paguaj prap. Unë punoj gjithë ditën në beton dhe vij e kaloj këtu. 300 euro duhen për të kaluar, ndërkohë që kaq para nuk i merr për një muaj në Shqipëri."

Një tjetër emigrant thotë se çmimet janë dyfishuar këtë periudhë: "Unë kam që në orën 5 të mëngjesit që pres këtu, në 5 e 10 u plotësu numri dhe presim ditën tjetër tani, por na mbarojnë letrat. Unë do pres, se ku të iki. Në autobus nuk ka shans të respektohen as rregullat e koronavirusit, se kemi qenë 70 vetë brenda. Kanë dyfishuar edhe biletën."

Shteti grek më herët ka njoftuar disa masa për kalimin e kufitrit, siç aplikimi për të kaluar, testi i koronavirusit brenda 72 orëve dhe kuota prej 300 personash.