'Në klasë deri në orën 19:45'/ Drafti për vitin e ri shkollor! S'ka nota për mësimin online

2020-11-05 2

TIRANË- 3 janë skenarët e përgatitur nga Ministria e Arsimit për nisjen e vitit të ri shkollor 2020-2021, për mësim në kohë pandemie. Report Tv ka siguruar draftin e plotë të Ministrisë, në të cilën janë përcaktuar qartë se si do zhvillohet mësimi dhe detyrat të të gjithë aktorëve kryesorë në këtë proces që nga drejtoria e shkollës deri tek sanitarja, por edhe te prindërit si një nga hallkat më kryesore. 

Skenari i parë është që mësimi të zhvillohet në ambientet e shkollës dhe është më tepër i zbatueshëm për shkollat në zonat rurale, ku numri i nxënësve në klasa nuk është më shumë se 20. Në këtë rast është i mundur distancimi fizik dhe mësimi do të zhvillohet me një turn ku një orë mësimi do të zgjasë 45 minuta. Ndërkohë, sa i përket shkollave që kanë shumë nxënës mësimi do të bëhet me dy turne me nga 30 minuta mësim. Në rast se nuk mund të ruhet distanca mes nxënësve edhe pas ndarjes së tyre në 2 turne, atëherë shkolla do të jetë e hapur edhe gjatë pasdites. Pra, nxënësit do të zhvillojnë mësimin 4 nënturne, pra me dy nënturne brenda një turni. Mësimi do të nisë në orën 08:00 dhe do të përfundojë në orën 19:54.

Për turnin e parë
ndajnë çdo klasë në dy grupe:
-grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 8.00-10.45;
-grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 11.00-13.45.

Për turnin e dytë
ndajnë çdo klasë në dy grupe:
-grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 14.00-16.45;
-grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 17.00-19.45.

Gjatë orëve të paradites do të bëjnë mësim klasat e ciklit fillor. Skenari i dytë është që mësimi zhvillohet i kombinuar (një javë në shkollë dhe një javë në kushtet e shtëpisë). Nga mësimi online nuk do të ketë vlerësime me nota.

Skenari i tretë është mësimi online dhe ky do të jetë në zbatim  vetëm nëse situata e shifrave me COVID do të ketë përkeqësime. Ora e mësimit do të jetë 25 minuta ne dy orë të njëpasnjëshme. Duhet theksuar se në dy javët e para të shtatorit, procesi i mësimdhënie-nxënies do të përqendrohet më tepër në përsëritjen e njohurive të marra gjatë mësimit online të zhvilluar në fund të vitit shkollor, teksa detyra kryesore për mësuesit është që të bëjnë kujdes, të mos mbingarkojnë nxënësit me detyra dhe, aq më tepër, me detyra që nuk mund të kryhen në kushtet e shtëpisë.