Shkëlzen Berisha ngriti biznesin pranë Gërdecit nga 1.8 milionë euro, me 10 milionë lekë kontribut

2020-11-05 0

TIRANË- Detaje të reja befasuese dalin në pah rreth perandorisë financiare më të fundit që ka ngritur Shkëlzen Berisha afër Gërdecit, pa futur dorën në xhep. I biri i ish-kryeministrit Sali Berisha ka marrë një superkredi 1.8 milionë euro nga një bankë, ka vendosur si kolateral pronat e blera afër Gërdecit me këtë borxh bankar, të cilat kanë një vlerë më të ulët se sa kredia, ndërsa më pas ka gjetur një oligark që i paguan qira për këto prona.

Më konkretisht, duke iu referuar bilancit financiar për vitin 2019 të kompanisë ?Logal? që Shqiptarja.com ka lexuar, me ortak të vetëm Shkëlzen Berishën, huamarrja totale e kompanisë është 213 milionë lekë. Nga kjo shumë, 202 647 591 lekë janë marrë kredi në Bankën Intesa Sanpaolo dhe 10 490 700 lekë janë kontribut i ortakut të vetëm, pra i Shkëlzen Berishës. Pra kontributi financiar i ortakut për ta e blerë pasurinë ka qenë vetëm 4.6% i totalit të blerjes, ndërkohë që normalisht bankat pretendojnë nga çdo qytetar të thjeshtë të paktën 10 herë më shumë.

Borxhi është përdorur për të blerë 3 parcela arë me sipërfaqe 6.183 metra katrorë dhe 3 parcela te tjera truall 14.220 metra katrorë nga të cilat 5.066.5 metra katrorë godina, të gjitha pozicionuar në zonën kadastrale 2605 të fshatit Marqinet të Vorës, ngjitur me zonën e Gërdecit. Çmimet e tregut për truall dhe godinat në ato zona rezultojnë disa herë më të ulëta se vlera 1.8 milionë euro e deklaruar zyrtarisht nga Shkëlzen Berisha: Por si ka mundësi që ato u gjykuan nga bankat si garanci të mjaftueshme për të lëshuar këtë kredi?

Por misteri nuk mbaron këtu. Kompania ?Logal? nuk ka asnjë person të punësuar, pra nuk zhvillon asnjë aktivitet konkret prodhimi. Shpenzimet për personelin të kompanisë së Shkëlzen Berishës për vitin 2019 në fakt janë vetëm 5,034 lekë, dhe kanë ardhur duke u ulur në raport me vitin 2018. Edhe fitimi i kompanisë është në ulje. Në vitin 2019, fitimi rezulton 15 milionë lekë nga 26 milionë në 2018. Nga fitimi, 12 milionë lekë Shkëlzen Berisha ka vendosur që t?ia kalojë vetës së tij si ortak, ndërsa pjesën tjetër ta kalojë në rezervat e kompanisë. Në tërësi, treguesit financiar të vitit 2019 tregojnë përkeqësim në raport me vitin paraardhës.