TIRANË- Partia Demokratike dhe LSI akuzuan sot qeverisë se ka ndryshuar ndarjen territoriale të Shqipërisë, duke marrë kompetencat e qarqeve dhe dobësuar pushtetin lokal, për qëllime elektorale dhe financiare. PD-LSI i referohen një ligji të miratuar nga Kuvendi, që parashikon ndarjen e Shqipërisë në 4 rajone. Po si qëndron e vërteta e këtij ligji dhe e ndryshon vërtetë ndarja territoriale siç pretendon opozita? Në 25 qershor 2020, qeveria depozitoi në Kuvend projektligjin për zhvillimin rajonal dhe kohezionin. Nisma u shqyrtua nga Komisionet Parlamentare dhe me datën 29 korrik 2020 u miratua në Kuvend me 81 vota pro, 9 kundër dhe 3 abstenim.
Pretendimet e opozitës dhe keqkuptimet politike e mediatike lidhen me nenin 4 të ligjit. Neni 4 përcakton se territori i Republikës së Shqipërisë ndahet në katër rajone zhvillimi. Por, rajonet e zhvillimit ekonomik nuk janë njësi administrative, në kuptim të legjislacionit në fuqi për vetëqeverisjen vendore. Nuk kemi të bëjmë me ndarje të territoriale dhe transferim kompetencash. Ligji nuk reflekton as interesa politike dhe as elektorale. Është një strategji e radhës e qeverisë për zhvillimin ekonomik të vendit, kur për shkak se ndërhyrjet nuk mund të zbatohen në të gjithë vendin njëlloj, është bërë një ndarje e rajoneve të zhvillimit, sipas mundësive dhe specifikave të zonave.