BULQIZË- Ngjarja e rëndë e ndodhur më 20 qershor 2020 në fshatin Valikardhë të Njësisë Administrative Zerqan në Bashkinë Bulqizë, ku gjeti vdekjen 36-vjeçari Edmond Zogu. Sipas informacionit zyrtar të policisë, dyshohet të jetë vetvarur, por kjo ngjarje ka pasur zhvillime të tjera deri dhe enigmatike për familjarët e tij. Brenda 40-ditëshit nga ceremonia mortore e të riut, varri i tij është hapur dy herë dhe kjo i ka terrorrizuar familjarët duke e konsideruar si një ngjarje horror.
Varri i familjarit të tyre pas një jave nga dita e varrimit është gjetur i hapur. Një veprim horror si ky nuk ishte parë apo dëgjuar ndonjëherë, e tregon me lot në sy nëna e viktimës. Që herën e parë ata kërkuan ndihmën e policisë së zonës për sqarimin e kësaj rrethane të pazakontë. Pas ekspertizës varri u mbyll, por pasi afroi rituali i 40-ditëshit familjarët e gjejnë përsëri të hapur varrin e viktimës që dyshohet se është vetëvarur. Nëna e viktimës kërkon ndihmën e shtetit për zbardhjen e kësaj ngjarje të dyshimtë, para se çështja thotë ajo të shkojë në vetëgjyqësi.
Edhe xhaxhai i viktimës dëshmon se varri i nipit pas vdekjes është gjetur i hapur dy here brenda 40-ditësh. Ata kanë shkuar për të bërë ritualin që bëjnë familjet shqiptare kur vdes një i afërm dhe aty janë përballur me horrorin që nuk ka fjalë ta shpjegojnë.
Historia e ngjarjeve të mësipërme e ka kthyer në një mister për familjarët vdekjen e Edmond Zogut më 20 prill 2020, saqë tani nuk dinë nëse dhe trupi i tij gjendet më në atë varr apo jo. Edmond Zogu nga fshati Valikardhë i Njësisë Administrative Zerqan në Bashkinë Bulqizë, ishte vetëm 36 vjeç kur u gjet i vetëvarur dhe si ishte babai i një fëmije vetëm 10 muajsh.