TIRANË- Show propagandistik për të mbuluar dështimin e SPAK, e ka cilësuar avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçi izolimin e klientit të tij në regjimin e posaçëm '41-bis'. Ai ka bërë të ditur se këtë vendim do ta ankimojnë ditën e hënë, me argumentin se përzgjedhja e emrave të të burgosurve që u izoluan ishin selektive, jo mbi bazën e veprave penale.
"Lidhur me Emiljano Shullazin dhe për të tjerët që ka dalë ky urdhër që janë të parët që do i nënshtrohen sistemit 41 bis, këta janë gjetur në mënyrë selektive dhe nuk janë të vetmit apo nuk janë këta tipikët që duhet t'i nënshtrohen këtij regjimi. Ka me dhjetëra të dënuar si pjesëtar të organizatave kriminale dhe çuditërisht zgjidhet Emiljano Shullazi në kushtet që jo vendimi gjykimi në shkallën e parë është kryer në një presion të madh në shkelje të prezumimit të pafajësisë, edhe veprat për të cilat ai është dënuar nuk janë të tilla që të bënin që SPAK apo ministrja e drejtësisë të nxirrte një urdhër të tillë. Urdhri është blanket se nuk ka asnjë të dhënë konkrete për aktivitetin e kundërligjshëm që pretendohet nga ministria, është fshehur pas shkresave që kanë shënimin konfidenciale "sekret shtetëror". Vetë ministrja e pranon që ka të dhëna dhe informacione që këta subjekte kanë marrëdhënie me organizata kriminale brenda burgut, kjo përbën çudinë më të madhe se vetë SPAK qenka në dijeni të faktit që ekzistojnë organizata të tilla, për të filluar procedim penal për anëtarët e saj. Ditën e hënë do të paraqesim ankimimin, do u drejtohemi dhe përfaqësive diplomatike në Tiranë. Ky është një operacion propagandistik për të mbuluar dështimin e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, siç dhe ishte rasti i personave që ishin në hetim, por që kishin vdekur, ka pasur rast tjetër që është arrestuar një shurdh-memec në bazë të një përgjimi telefonik", tha Meçi.
Banda e Emiljano Shullazit, por edhe Arbjon Aliko dhe Genci Balla janë të dënuarit e parë që provojnë qelitë e izolimit. Transferimi i Emiljano Shullazit, Blerim Shullazit, Gilmando Danit, Endrit Zelës dhe Endrit Qyqjes nga qelia e zakonshme e vuajtjes së dënimit në atë të izolimit është bërë ditën e sotme sipas rregullave të reja në fuqi, dhe nuk pati probleme.