Report TV -Gjin Gjoni dhe Alaudin Malaj zyrtarisht jashtë drejtësisë, KLG iu miraton dorëheqjen

2020-08-04 1

Gjin Gjoni dhe Alaudin Malaj, dy emrat të njohur të gjyqësorit, zyrtarisht nuk janë më pjesë e drejtësisë shqiptare. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur në mbledhjen e sotme të miratojë kërkesat e dy gjyqtarëve për t?u larguar nga drejtësia, në prag të përballjes me Vetingun. Gjin Gjoni dhe Alaudin Malaj mbanin pozicionin e gjyqtarit të Apelit në Tiranë. Pas miratimit të dorëheqjes së tyre nga KLGJ, tashmë në lëvizje do të vihet Komisionit i Pavarur i Kualifikimit, organ i cili pritet të vendosë pushimin e Vetingut për dy gjyqtarët, një praktikë e zakonshme tashmë. Krahas pushimit të Vetingut, KPK, në vendimin për Gjin Gjonin dhe Alaudin Malaj, pritet të vendosë edhe shënimin në fund, për humbjen e të drejtës për t?u bërë pjesë e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

Procesi i Vetingut për Gjin Gjonin ka nisur që në tetor të vitit 2018, duke zgjatur 21 muaj. Ndërsa për Alaudin Malaj procesi i Vetingut ka nisur që në shtator të vitit 2018. Gjin Gjoni dha dorëheqjen me pretendimin se Vetingu ishte politik. Por nëse Vetingu do të ishte politik, siç pretendon Gjin Gjoni, ky i fundit mund të jepte dorëheqjen që në vitin 2018 dhe nuk do të priste fundin e lejes dyvjeçare prindërore dhe afrimin e përballjes me gjetjet e KPK rreth pasurisë së tij, për të dhënë dorëheqjen. Ndërkaq, gjyqtari tjetër Alaudin Malaj, nuk ka ngritur pretendime për procesin e Vetingut, por ka deklaruar se do të fillojë një punë tjetër në datën 1 gusht 2020.