Dy ambasadorë, Yuri Kim e Amerikës dhe Luiggi Soreca i Bashkimit Europian, kanë zhvilluar sot një takim në kryeministri me Edi Ramën. Mësohet se ky takim ka zgjatur për rreth 60 minuta, ndërsa nuk dihet me saktësi se për çfarë është biseduar, por mendohet se mbledhja vjen për shkak të reformës zgjedhore.
Kjo është një javë shumë e rëndësishme përsa i përket kësaj reforme, pasi me datë 23 u votua në parlament marrëveshja e 5 qershorit, ndërkohë që me 30 korrik, po në kuvend, pritet të miratohen ndryshimet kushtetuese për Listat e Hapura dhe kualicionet parazgjedhore.
Së fundmi në këtë drejtim ka patur zhvillime edhe nga opozita e bashkuar, e cila kishte pretendimet e saj mbi listat e hapura dhe kualicionet parazgjedhore. PD dhe LSI janë gati të pranojnë listat e hapura, madje në masën 100%, por nuk pranojnë që të hiqen kualicionet parazgjedhore, një ndryshim që pritet të ndrodhë në datën 30 korrik kur mazhoranca dhe opozita parlamentare do ta votojnë në kuvend.
Pretendimi tjetër i opozitës së bashkuar se këto ndryshime nuk mund të bëhen pa ata, pasi kërkohet gjithëpërfshirje, është hedhur poshtë nga ndërkombëtarët, të cilët thanë se njohin ligjshmërinë e parlamentit aktual. Sakaq opozita e bashkuar ka nxjerrë edhe një tjetër pengesë, duke deklaruar se është vonë për të bërë këto ndryshime kushtetuese kur jemi një vit para zgjedhjeve.