SPB-ja e Tetovës thotë se nuk ka ingerenca për ndalimin e punimeve për ujësjellësin e fshatit Siniçan. Por prezencën e pjesëtarëve të policisë në bjeshkë, zëdhënësi i policisë e arsyetoi me sigurimin e banorëve.
Prezenca e pjesëtarëve të policisë në vendin ku janë duke u zhvilluar aktivitete punuese për ujësjellësin e fshatit Siniçan të Tetovës, është vetëm në funksion të parandalimit të konfliktit eventual mes banorëve të Siniçanit dhe të fshatit Urviç. MPB nuk ka asnjë lloj kompetence as në ndalimin e punës por as me dhënien e lejeve për ndërtimet e këtij lloji - deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Por kreu i Komunës së Bogovinës Albon Xhemaili e thotë të kundërtën.
Bisedova vet me organet kompetente, me policët, dhe ato ishin shumë të prerë që të ndërpriten punët dhe mos vazhdohet punimi - u shpreh Albon Xhemaili, kryetar i komunës së Bogovinës.
Banorët e fshatit Siniçan të cilët në bjeshkë punojnë për ujësjellësin akuzuan dje policinë se ua ndërpret punimet. Alsat qëndroi sot në malësi, punimet për ujësjellësin janë ndërprerë ndërsa atje qëndrojnë dhjetëra pjesëtare të forcave speciale. Fshati Siniçan i komunës së Bogovinës, me dekada të tëra konsumon ujë të ndotur dhe me bakterin esheria koli. Uji është i ndaluar edhe për përdorin teknik.
Bashkim Sulejmani