( E plotë ) Rama: Sot votohet marrëveshja e 5 qershorit! Për listat vendosim vetë, jo ndërkombëtarët

2020-08-03 0

Prej orës 10:00 po zhvillohet seanca e Kuvendit të Shqipërisë ku në rend dite është futur votimi i Paktit të 5 Qershorit pas marrëveshjes së arritur fillimisht mes mazhorancës dhe opozitës jashtë parlamentare. Dy ditë më parë shumica socialiste firmosi një marrëveshje me opozitën parlamentare për të votuar paktin e 5 Qershorit. Deri në mbylljen e sesionit parlamentar do të zhvillohen edhe tre seanca. Fundi i korrikut do të jetë i nxehtë, pasi në tre ditë do të ketë tre seanca radhazi.

Konferenca vendosi zhvillimin e seancave plenare në datat 27, 28 dhe 30 korrik 2020. Por çfarë do të miratohet? Dy janë çështjet më të nxehta që pritet që të miratohen. E para lidhet me ndryshimet kushtetuese, që ka të bëjë me hapjen e listave dhe koalicionet. Ndërsa brenda këtij sesioni parlamentar, pritet që të miratohet edhe raporti përfundimtar i Komisionit të Posaçëm që u ngrit për Ilir Metën, ku PS-ja u tërhoq nga shkarkimi.Edi Rama tha sot se Kuvendi do të votojë me shumicë të gjerë marrëveshjen e 5 qershorit. "Do të them disa fjalë për votimin që kthen në ligj marrëveshjen e 5 qershorit, mes PS-së dhe PD-së dhe aleatëve të saj. Dua ta filloj me një falenderim për grupet e opozitës parlamentare, kryetarët e grupeve dhe zonjën Hajdari, posacërisht duke qenë se ka luajtur rolin e saj dhe i ka rezistuar edhe shpalljes si tradhtare nga ana juaj. Ka kontribuar bashkë me ju për nënshkrimin e marrëveshjes mes nesh dhe jush, që i hap rrugë një votimi sot me një shumicë më shumë sesa aritmetike. Natyrisht që do të ishte mirë që edhe Myslymi, zoti Murrizi, edhe të tjerë bashkë me të mos e firmosnin me rezervë marrëveshjen dhe ta votonin, duke dhënë një mesazh shumë të qartë për të gjithë shqiptarët pa dallim edhe për ata, që përfaqësuesit i kanë jashtë parlamentit se ne jemi të vetëdijshëm për realitetin politik. Unë nuk e votoj me zemër, por e votoj me mendje marrëveshjen e 5 qershorit" tha ai.