Një agjent i autoriteteve Iraniane që vepronte në Shqipëri, është urdhëruar të dënohet nga territori Shqiptar me motivacionin si person i padëshiruar. Vendimi për dëbimin e shtetasin Iranian të quajtur Dabiel Kassrae, është marrë ditën e sotme nga Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj.
Report Tv ka siguruar ekskluzivisht foton e iranianit të dëbuar. Lleshaj, duke u bazuar në informacionet e SHISH, strukturës së anti-terrorit në polici dhe homologëve të huaj,ka marrë vendimin për nxjerrjen jashtë territorit të Kasrae për një periudhë 15-vjeçare.
Të dhënat e grumbulluara nga shërbimet inteligjente flasin se 29-vjeçari është agjent me veprimtari spiunazhi, i infiltruar nga Ministria e Inteligjencës Iraniane. Me argumentin se cënon sigurinë publike dhe rendin kushtetues në Shqipëri, ministri Lleshaj, ka urdhëruar dëbimin e tij.
Për momentin Dabiel Kassrae është ndaluar nga agjentët e anti-terrorit dhe po mbahet i izoluar në kampin e refugjatëve në Karec të Vorës, në pritje për t'u dëbuar në orët në vijim jashtë territorit shqiptar.
Gjatë periudhës kur Dabiel Kassrae ka qëndruar në Shqipëri ai është përpjekur të mbledhë informacione për azilantët e opozitës iraniane të strehuar në Shqipëri, përmes një marrëveshje sekrete mes SHBA-së dhe vendit tonë. Kassrae është shfaqur shpesh herë në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit, ku dyshohet se në disa episode ka tentuar të krijojë kontakte dhe rekrutojë ish-anëtarë të MEK.