Vrasja me thikë në Patos, arrestohet i vëllai i viktimës, plagosi nënën e autorit, flasin fqinjët

2020-08-02 1

Një ngjare tragjike u shënua dje në Patos dhe më konkretisht në fshatin Kasnicë ku për motive pronësie Aliond Saliaj, 31 vjeç, qëlloi me thikë bashkëfshtarin e tij Përparim Seatin, i cili u dërgua me urgjencë në spital nga ku iu nënshtruar një operacioni, të cilit fatkeqësisht nuk i mbijetoi.

I intervistuar në qendër të fshatit, në vendin ku ndodhi ngjarja, kryeplaku i fshatit Haxhi Qosja, thotë se nuk ishte në dijeni nëse protagonistët e kësaj ngjarje kishin debate për tokën. Ai thotë se viktima dhe nipi i autorit ishin zënë disa vite më parë, por për një tjetër arsye.

"Autori i vrasjes pretendonte se ka zënë një cop toke pa tapi. Në koperativë ajo tokë qenë e mbjellë me kumbulla dhe i dhanë nja tre rrënjë, por pa i hedhur në tapi. Tani pretendonin se ia dha komisioni. Unë ankesë nuk kam patur nga njëri që të më thonin më kanë zënë tokën. As nga banorët as nga dy palët s'kisha dijeni.

Unë për këtë rast s'kisha asnjë lloj dijenie. Probleme ka në përgjithësi por për këtë rast s'kisha dijeni. Përparimim e gjetëm këtu. Në qendër. Erdhi një makinë e mori dhe më pas e dërgoi në spital.

Autori ka qenë i kthyer nga Greqia. Probleme të tjera s'ka patur tani. Para 6-7 vjetësh ka qenë një zënkë, por me nipin e autorit. Sherri i parë është bërë për rrugë, ndërsa tani ka ndodhur për kumbulla. Për 700 metra tokë, ose e shumta 1 dynum,"-shprehet kryeplaku.

Ndërkohë dy banore të fshatit shprehen: "Ka patur zënka edhe më herët, para 5-6 vjetëve. Nuk e di se për çfarë, por kanë patur debate. Jo me Aliond Saliaj, por me të vëllanë e tij." Ndërkohë banorja tjetër shprehet: "Unë e njoh pak, e njoh si fshtar këtu, por nuk di shumë. Lajmin e pashë në televizor dhe të dy emrat i njihja. Nuk e di a ka patur probleme me përparimin."-shprehet një tjetër.

Autori i ngjarjes pas plagosjes me thikë është larguar nga fshati, ndërsa policia ka arritur ta arrestojë pak orë më pas. tani ai do të përballen në gjykatë me akuzat "Vrasje me dashje? dhe "Mbajtje pa leje të armëve të ftohta?.