Emisioni 112 - Tenton të vetëdigjet para Kryeministrisë, e neutralizon Garda dhe Policia në 1 minutë

2020-08-02 1

TIRANË ? Emisioni 112 transmeton pamjet ekskluzive nga ndërhyrja e shpejtë e Gardës së Republikës dhe policisë teksa një person ka tentuar të vetëdigjet para godinës së Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Ngjarja ka ndodhur në orën 14:22 të kësaj të shtune teksa personi i cili mbante një shishe benzine në dorë po lëvizte me biçikletë duke u futur më pas në rrugën para hyrjes ballore të Kryeministrisë.

Ka qenë i menjëhershëm reagimi i 3 punonjësve të Gardës që i kanë hequr shishen me benzinë me të cilën djali po përpiqej të lyente veten. Personi shtrihet në tokë nga gardistët, gjithë momenti zgjat vetëm 1 minutë ndërsa ndërhyjnë menjëherë forcat Shqiponja dhe patrullat e rendit. Personi shoqërohet në Komisariatin nr. 1 ndërsa më pas është dërguar në Spitalin nr. 5 në kryeqytet për trajtim mjekësor.

Burime nga policia thonë për Report TV se personi është një 39-vjeçar me inicialet U.K., që punonte si taksist ndërsa së fundmi atij i ishte hequr patenta dhe në kushte të rënduara psikologjike dhe në gjendje të dehur tentoi të vetëdigjet.

Gazetar: Antonio Çakshiri
______
Siç shihet edhe në pamje personi ka ardhur me biçiklete nga rruga në krah të Kryesisë së Kuvendit në orën 14:22 e 10 sekonda ndërsa në njërën dorë mban shishen e benzinës.

Në 14:22 e 22 sekonda djali me biçikletë ngjitet drejt hyrjes së Kryeministrisë.

Në orën 14:22 e 35 sekonda djali ndodhet para hyrjes ndërsa hap shishen e benzinës dhe fillon ta hedh mbi trup. Dy sekonda më pas janë 3 efektivë të Gardës së Republikës që ndërhyjnë për ta neutralizuar.

Në orën 14:22: e 55 sekonda personi rrethohet nga gardistët ndërsa atij i hiqet shishja e benzinës nga dora.

Ora 14:23: e 20 sekonda personi është neutralizuar nga Garda, aty afrohen patrullat e policisë

Ora 14:24: e 30 sekonda, efektivët e patrullës Shqiponja dhe efektivët e rendit prangosin djalin dhe e shoqërojnë drejt Komisariatit nr. 1.