TIRANE-Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha kërkojnë që të mblidhet sërish tryeza e Këshillit Politik për të diskutuar dhe vendosur për nismën për ndryshimet kushtetuese me qëllim hapjen e listave dhe koalicionet.
Kreu i shtetit shprehet se shtysën për këtë ide e mori në mesnatë nga një mesazh i ish-kreut të KQZ-së Kume që i sugjeronte se cdo ndryshim nga marrëveshja e 5 Qershorit duhet të shkonte përsëri në tryezën e Këshillit Politik.Pa gdhirë, thotë Meta më tej, i kërkoi takim Lulzim Bashës për të mësuar qëndrimin e tij nëse ishte i hapur për këtë ide.
E ndërsa nuk sqaron nëse u bë takimi apo biseduan në telefon, kreu i shtetit tregon se lideri i PD-së i tha se qëndrimin e opozitës e gjen tek deklarata e sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi, i cili është shprehur se cdo rishikim duhet të parashtrohet dhe vendoset te Këshillit Politik.
Pra Ilir Meta dhe opozita kërkojnë që Këshilli Politik të mblidhet sërish për cështjen e listave dhe koalicioneve, pra ndryshimet kushtetuese.
"Dje në mesnatë mora një mesazh nga një intelektual i nderuar si Prof.Kristaq Kume. Shqetësimi i tij ishte se duhej bërë çdo përpjekje për të shmangur ndryshime kushtetuese të njëanshme sepse do të ishte një kosto shumë e rëndë për vendin.
Ai sugjeronte se çdo ide për ndryshime nga Marrëveshja e 5 Qershorit duhet të shkonte përsëri në tryezën e Këshillit Politik.
Sot në mëngjes, pa gdhirë mirë, i kërkova takim z.Basha për të parë a ishte i hapur për një ide të tillë. Ai më njohu me qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar që është bërë publik dhe u është njoftuar dhe të gjithë partnerëve të shqetësuar për të ardhmen europiane të vendit tonë.