TIARNE-Në 24 orët e fundit 3 qytetarë në terapi intensive, të intubuar kanë humbur jetën te Infektivi. Një 52 vjeçar nga Tirana, një 57 vjeçar nga Kukësi dhe një 59 vjeçar nga Korça, nuk e kanë fituar dot betejën me Covid19, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Aktualisht në dy spitalet Covid, në spitalin infektiv dhe spitalin ?Shefqet Ndroqi? po trajtohen 106 pacientë, 9 pacientë janë në terapi intensive dhe 1 prej tyre është i intubuar.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 431 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 55 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 39 raste në Tiranë, 4 në Vlorë, 3 në Kukës, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Kavajë, nga 1 rast në Shkodër, Elbasan, Kamëz.Numri i të shëruarve në 24 orët e fundit është më i lartë se numri i të identifikuarve pozitive me Covid19. Janë shëruar 77 qytetarë, duke e çuar në 2214 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1585 persona aktivë me Covid19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura, në transportin publik dhe kudo ku nuk ruhet dot distancimi fizik.
Higjiena dhe zbatimi i protokolleve është detyrim ligjor për çdo biznes, për të mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve nga përhapja e Covid19. Edhe në rast se dyshoni se jeni i prekur nga Coronavirusi, duhet të izoloheni, dhe të telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.