Kështu do të duket votimi më 15 korrik. KSHZ-ja nëpërmjet simulimit të procesit të votimit me respektimin e masave mbrojtëse ndaj virusit, thotë se i ka ndërmarrë të gjitha masat për një proces të sigurt zgjedhor. Është parashikuar distanca, dezinfektuesit, dorezat dhe maska, e cila hiqet për disa sekonda gjatë identifikimit të votuesit nga organet zgjedhore.
KSHZ-ja i ka krijuar të gjitha kushtet sa i përket ditës së votimit. Kjo është një sfidë për të gjithë ne sepse për herë të parë organizojmë zgjedhje në kohë pandemie. Ne si KSHZ duke i respektuar të gjitha rekomandimet dhe masat që na i ka dhënë Komisioni për sëmundje ngjitëse, jemi të përgatitur si për ditën e votimit, edhe për 13 dhe 14 korrikun - tha Ditëmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.
Gjithçka zbatohet ashtu siç është përshkruar nga Komisioni për sëmundje ngjitëse, nuk ka absolutisht asnjë rrezik, ka kushte që në tërësi të respektohen parimet e masat parandaluese dhe protokolli të respektohet në tërësi. Besoj se qytetarët do të dalin në votime në ditën e zgjedhjeve duke mos pasur frikë për rrezikun ndaj shëndetit të tyre -u shpreh Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Personat në izolim dhe të sëmurët me virus do të votojnë më 13 korrik. Deri tani numri i personave nga kjo kategori të paraqitur për të votuar është 137 por ka akoma afat deri në mesnatë për paraqitje të tjera. Votimi i tyre do të realizohet nga nëpunësit shëndetësor. Nga rreth 300 nëpunës shëndetësor që janë përzgjedhur për këtë proces, 80 kanë hequr dorë për arsye të ndryshme.
Gjithsesi numri i personave në izolim dhe vetizolim që janë paraqitur për të votuar mbetet i ulët duke pasur parasysh se numri i përgjithshëm i tyre është rreth 5 mijë.
Fatlume Dervishi