BDI planifikon të shkurtojë orarin e plotë të punës prej 40 orë në javë në 36 orë pune. Në programin zgjedhor të BDI-së thuhet se ata do të përpiqen që çdo e premte të punohet me orar të shkurtuar deri në mesditë, ose deri në orën 13, në varësi të kohës kur fillon orari i punës. Shpjegimi është se në atë mënyrë qytetarët do të kenë më shumë kohë për veten dhe familjet e tyre.
BDI:
"Vendosja e orarit fleksibël të punës gjatë javës dhe mundësia për të punuar me orar të përgjysmuar të premteve do të sigurojë më shumë kohë për familjen dhe shëndet më të mirë mendor, si dhe një produktivitet më të madh."
Sipas ekspertëve, një propozim i tillë për një fundjavë të zgjatur kërkon një analizë gjithëpërfshirëse, që do të marrë parasysh interesat e të gjithë palëve, dhe rezultatet do të tregojnë përfitimet ose humbjet.
Dita e premte si dita e fundit e javës të punohet me orar të shkurtuar të punës, mendoj që është çështje për të cilën ende nuk janë pjekur kushtet dhe nuk jemi gati për këtë ndryshim në rregullativën ligjore?-tha Zorica Siljanovska, profesoreshë universitare.
Ndërsa, qëndrimi i Organizatës së punëdhënësve është se orari i shkurtuar i punës është mirë për disa sektorë, por jo edhe për kompanitë ku prezenca fizike është e domosdoshme për shkak të vëllimit të produktivitetit. Nëse miratohet një ligj i këtillë, vlerësojnë se çdo kompani vendimin duhet ta marrë për vete. Nga Konfederata e punëdhënësve vlerësojnë se edhe tani ekziston zgjidhje ligjore, kompanitë në sektorin privat të punojnë me orar të shkurtër, nëse e duan këtë gjë.
Jo vetëm në pjesën financiare. Këtu ka ndikim edhe në ekonominë e konsumit, në shprehitë e konsumit. Pjesa e madhe e kompanive e dinë se njerëzit që punojnë të premten dhe e kanë mundësinë e vetme para vikendit të furnizohen me mallra dhe prodhime të caktuara, me shërbime, tani nuk do munden ta bëjnë këtë?-pohoi Mile Boshkov konfederata e punëdhënësve.
Alsat kërkoi qëndrim edhe nga sindikatat, prej ku nuk deshën të komentojnë programe politike, por thonë se çdoherë do të angazhohen për të drejtat e punëtorëve. BDI para gjysmë viti edhe në Kuvend u përpoq të shtyjë zgjidhje ligjore për orar punë të përgjysmuar për ditën e premte, por propozimi nuk kaloi te deputetët. Reagimet e atëhershme në opinion ishin se orari i shkurtuar nuk do respektohet në sektorin privat dhe se nga kjo do përfitojnë vetëm të punësuarit nëpër kompanitë shtetërore.
Ile Petreski