TIRANË- Përpara shpëtimit të jetës, nuk i ka interesuar asgjë se çfarë ka ndodhur në atë shtëpi në Kombinat, as aroma e keqe që kundërmonte që te shkallët, as shënimet e nënës, Zhaneta Josifi për ritualin e ringjalljes, këtë ia lë kriminalistikës. Një lëvizje e vogël e Blertës, të vetmes së mbijetuar nga ajo tragjedi e 2 korrikut, e kanë drejtuar zjarrfikësin, Luan Shehaj drejt saj duke i dhënë ndihmën e parë. Atë imazh, Shehaj, thotë se nuk do ta harrojë kurrë, momentin kur Blerta ngre duart lart në fytyrë, sikur diçka donte të fshihte apo të thoshte. Për Shehajn, kjo kishte shumë pak rëndësi, ai ishte një sinjal jete, një sinjal që siç Shehaj rrëfen për Report Tv, çdo zjarrfikës lutet përpara çdo aksioni ta gjejë. Në intervistën për Report Tv, Shehaj ka sjellë detaje nga ajo ngjarje që ka tronditur opinionin publik, por edhe rrëfimin e tij personal, që shkon përtej uniformës, si një qytetar, si një prind. Në fillim, teksa ka parë Zhaneta Josifin në kanape, e cila vdiq duke u lutur për ringjalljen e të bijës, Anisa, Shehaj kishte menduar që ajo ishte gjallë. Thirrjes së tij, Zhaneta nuk i ishte përgjigjur, Blerta po. E katandisur nga mosngrënia, e përshkruan Shehaj Blertën, që peshonte aq pak saqë çdo njeri do e kishte pasur të lehtë ta merrte në krah dhe ta evakuonte. Për Anisën ka fiksuar vetëm diçka, nga një moment të shkurtër kur ka hapur derën e dhomës...Nëse do të ishin lajmëruar më herët, shanset për të shpëtuar edhe Zhaneta do të kishin qenë të mëdha. Sipas Shehaj, e gjitha është në kulturën e gabuar të qytetarëve, të cilët po nuk panë zjarr nuk lajmërojnë zjarrfikësit, edhe pse funksioni i tyre shkon përtej flakëve.