Dy muaj më parë prokuroria e Tiranës, ka dërguar kërkesën në gjykatën e kryeqytetit për pushimin e ndjekjes penale për Gjergj Cukalin, Albert Xhabaftin dhe Arben Tiranën alias (Xhetani),si personat e dyshuar dhe arrestuar nga policia për vrasjen e ish-policit Arben Bilali. Ngjarja e ndodhur në 30 janar 2019, përpara shtëpisë së Bilalit, sot nuk ka asnjë autor të identifikuar dhe arrestuar. Tre personat e mësipërm të dyshuar si autorë janë lënë të lirë gati një vit më parë, ndërsa tashmë prokuroria ka kërkuar në gjykatë pushimin e ndjekjes penale për Albert Xhabaftin, Arben Tiranën dhe Gjergj Cukalin. Cukali u arrestua nga policia si personi ekzekutues me pagesë të Bilalit, por një dyshim i tillë nuk është arritur të zbulohet gjatë veprimeve hetimore.