Gjiknuri: Nëse nuk gjejmë votat për draftin e 'Zgjedhores', kompromis me opozitën parlamentare

2020-07-10 0

TIRANE-Përfaqësuesi i PS-së për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri nga Vlora paralajmëroi se mund të ndryshohet sistemi zgjedhor dhe në 2021 përpara elektoratit të shkohet me lista të hapura. Nëse nuk gjenden votat për të kaluar draftin e Reformës Zgjedhore, Gjiknuri tha se do të mundohemi të bëjmë kompromise me opozitën parlamentare, përfshirë mbase edhe hapjen e listave. "Nuk përjashtoj mundësinë e listave të hapura nëse ne nuk gjejmë dot votat për të kaluar Kodin, natyrshëm që do të mundohemi të bëjmë kompromise me ta, përfshirë mbase edhe hapjen e listave, por është shumë shpejt për të folur. Por nëse nuk sigurojmë votat, është natyrshëm që duhet një kompromis, ose nuk do të kemi ligj zgjedhor.

Listat e hapura, nëse hapen me mënyrën që kërkon opozita, menaxhimi i numërimi i votave do të bëhet i vështirë, do të kërkojë ndërhyrje të tjera, në thjeshtimin e listave që paraqiten nga koalicionet. Opozita gjithmonë e ka kërkuar hapjen e listave, ne nuk kemi thënë se jemi kundër, por do konsensus më të gjerë, por me qëllim që Shqipëria të bëjë zgjedhje duhet të kalojë kodi, se sot nuk kemi kod. Mos më kërkoni të them se kush është përfundimi, pasi është një rrugë që sapo ka filluar dhe një betejë që nuk dihet si do të përfundojë" tha ai.