FMN kundër amnistisë fiskale: “Ul të ardhurat, sjell pastrim parash dhe korrupsion” - Vizion Plus

2020-07-10 5

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ndërsa qeveria pritet që gjatë këtij muaji të miratojë nismën e amnistisë fiskale, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka qenë i qartë në qëndrimin e tij, kundër zbatimit të saj. Sipas FMN, kjo nisëm do të cënonte mbledhjen e të ardhurave.
Në një deklaratë për shtyp, pas diskutimeve me autoritetet shqiptare, FMN kërkon fillimisht që qeveria të krijojë sisteme, që luftojnë evazionin dhe pastrimin e parave.
Ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme fiskale, pasi do të cënonte përmbushjen e detyrimeve tatimore.
Duhen krijuar së pari sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion.
Por FMN i sheh me skepticizëm edhe dy nismat e fundit të qeverisë për të hequr tatim fitimin dhe TVSH për biznesin e vogël. Ekspertët e fondit vlerësojnë se masa të tilla duhet të jenë të mirëstudjuara dhe të përkohshme.
?Kemi ndjekur me shqetësim një propozim të kohëve të fundit për të hequr deri në vitin 2029 tatimin mbi fitimin për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë dhe TVSH- në për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor deri në 10 milionë lekë.
Mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cënuara nga këto kriza është e përligjur, por ajo duhet të jetë e përkohshme, e mirëorientuar, transparente, si edhe e integruar në një program të besueshëm dhe të kujdesshëm buxhetor afatmesëm.
Pragjet për regjistrimin në përgjegjësinë tatimore për tatimin mbi fitimin dhe për TVSH-në duhet të unifikohen në një nivel, i cili do të duhej të përcaktohej me kujdes, në përputhje me objektivat e strategjisë afatmesme për të ardhurat.
Vendosja e pragut në një nivel shumë të lartë për një periudhë tepër të gjatë, do të gërryente bazën tatimore dhe do të cënonte përmbushjen e detyrimeve nga subjektet tatimore.
Në deklaratën e saj FMN vijon më tej kur thotë se pasi situata të qetësohet nga efektet e pandemisë, do të jetë me rëndësi kritike, rifillimi i konsolidimit fiskal dhe vendosja e borxhit në një trajektore rënëse.
Gjithsesi pritshmëritë për rimëkëmbjen e ekonominë mbetën të vështira gjatë këtij viti pasi pasiguria është e madhe dhe e pazakontë.
------------------------------------------------------------------
Subscribe: https://www.youtube.com/user/vizionplusalbania?sub_confirmation=1