Restaurohen shtëpitë muzeale në Berat, zbulohen mbishkrime të hershme e ornamente të veçanta

2020-07-10 0

"Gorica" po ndryshon pamje. Ka nisur restaurimi i shtëpive në lagjen muzeale. Restaurimet e këtyre shtëpive me arkitekturë të veçantë po nxjerrin në dritë mbishkrime të hershme.

Report TV ndoqi nga afër restaurimin e banesës Bullari, ku është gjetur një mbishkrim i vitit 1856. Restauratori thotë se mbishkrimi tregon se banesa i është nënshtruar rikonstruksionit në atë kohe.

Kemi datën dhe vitin e rikonstruksionit të fundit që i është bërë banesës, mund të ketë qenë tërmet, gojëdhëna janë", tha ai.

Në intervistën për Report Tv drejtori i monumenteve të kulturës në Berat, Eugen Kallfani tregoi detaje të punës në këtë monument kulture të kategorisë së parë.

"Banesa Bullari është monument kulture kategoria e parë. Është një nga banesat më interesante në lagjen Goricë. Pjesa e afreskut që ka në qoshkun e vet një mbishkrim që daton në 1856, që tregon një restaurim të mundshëm që i është bërë banesës në atë kohë. Edhe në këtë banesë edhe pse pronësia ka sjellë ndarjen në dy pjesë të saj, kemi ndërhyrë në pjesën e fasadës, të strehës, pjesës së suvasë, kollonave të qosheve dhe fashaturave horizontale", tha Kallfani.

Një tjetër objekt i rëndësishëm që është restauruar tashmë është banesa e Buzho Fillerit, ku është zbuluar një ornament i shekullit XIX.