TIRANË- Ka ndërruar mendje Ministria e Arsimit për skemën se si duhet të aplikojnë maturantët për në universitet. 4 javë më parë vendosi të publikojë një udhëzim që ia pakësonte mundësinë të rinjve në përzgjedhjen e degëve, 4 javë më pas e rrëzoi duke lënë në fuqi procedurën që kryhej më parë.
Në udhëzimin e firmosur nga Besa Shahini më datë 23 qershor, thuhet se maturantët në raundin e dytë të aplikimeve do të përzgjedhin 10 degë, e jo më 7 siç vendosi më parë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me raundin e tretë ku tashmë do të aplikojnë sërish për 10 degë e jo për 5.
Pasi publikohen listat me emrat e fituesve nga degët e përzgjedhura, për maturantët nis regjistrimi në universitet, por përmes disa fazave. Në udhëzimin e datës 26 maj ministria vendosi që në raundin e pare të kishte 6 faza 48-orëshe, ndërsa me udhëzimin e ri do të ketë 7 faza 48-orëshe, ashtu siç ka qenë edhe vitin e kaluar. Në raundin e dytë do të ketë sërish 5 faza 48-orëshe ndërsa raundi i tretë do të vijojë me 3 faza 48-orëshe.
E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar nga udhëzimi i datës 26 maj është pika e plotësimit të kuotave të lira. Universiteteve u është lënë dorë e lirë që të përshtasin kuotat e deklaruara. Që do të thotë se kuotat e paplotësuara në përfundim të raundit të pare për çdo program studimi do të mund të kalohen në programe të tjera sipas kërkesave. Gjithçka do të bëhet duke njoftuar ministrinë e arsimit.