Report TV - KLSH: Në 8 vite dëmi në buxhet 6.2 mld euro, humbja më e madhe u shkaktua nga PPP

2020-07-10 0

6.2 miliardë euro është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në 7 vite, nga 2012-a deri në 2019-ën nga institucionet shtetërore.  Një raport auditi i Kontrolli i Lartë i Shtetit, evidenton se  humbjet më të mëdha janë regjistruar në vitin 2015, 125 miliardë lekë.

Janë rreth 2 miliardë euro humbje vetëm nga parregullsitë dhe shkeljet financiare në mbledhjen e të ardhurave dhe në shpenzimet e kryera nga viti 2012-2019, nga 47.4 miliardë lekë që ishte dëmi në vitet 2002-2011.

Sa i takon dëmit financiar, goditja më e madhe me rreth 65.2% është shkaktuar nga koncesionet, dhe dhëniet me qira apo shitjet të pronave shtetërore, të cilët në 8 vite kanë shkaktuar humbje deri 165.6 miliardë lekë. Më pas renditen humbjet nga taksat dhe tatimet me 27.9 miliardë lekë minus, e ndjekur nga doganat dhe prokurimet publike.

Ndërsa pjesa tjetër prej 4.2 miliardë euro dëm sipas KLSH është shkaktuar nga keq-menaxhimi i fondeve të programuara, shkelje në shpenzime dhe të ardhura, apo shkelje e disiplinës buxhetore.

Për ish-deputeten demokrate Jorida Tabaku këto para do të mund të përdoreshin për qytetarët por u çuan dëm për shkak të korrupsionit.

Në këto 8 vite Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përcjellë 336 kallëzime penale për 999 persona, zyrtar të nivelit të mesëm dhe të lartë për shkelje të rënda, shpërdorim detyre apo shkelje të barazisë në tendera. Një numër 2 herë më i lartë se kallëzimet e bëra për periudhën 10-vjeçare, 2002-2011.