Report TV - 62 viktima/ Dita e 3-të radhazi me 3 viktima/ 69 raste të reja, 3 të intubuar!

2020-07-10 1

TIRANE-Tre pacientë kanë humbur luftën me koronavirusin duke ndërruar jetë në spitalin Infektiv në QSUT në 24 orët e fundit. Bilanci është alarmant, pasi kjo është dita e tretë radhazi që humbasin jetën nga tre pacientë të infektuar me COVID. Viktimat që janë regjistruar sot janë një 44 vjeçare nga Durrësi, një pacient 71 vjeçar nga Tirana dhe një 85 vjeçar gjithashtu nga Tirana.

Ministria e Shëndetësisë deklaron se të tre pacientët kishin disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe nuk kanë mundur dot të mbijetojnë për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore, pavarësisht trajtimit intensiv nga stafi mjekësor. Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 79 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 3 janë të intubuar. Ndërkohë në rritje janë edhe shifrat e të infektuarve krahasuar me ditën e djeshme.Nga 371 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, 69 kanë rezultuar pozitivë. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 23 raste në Tiranë, nga 10 raste Durrës, Krujë, 6 në Vlorë, 5 në Mat, nga 4 raste në Kurbin, Kamëz, nga 2 raste në Shkodër, Fier, Kavajë, 1 në Lushnje. Pavarësisht rasteve ditore të identifikuara pozitivë, lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 25 qytetarë, duke e çuar në 1459 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1014 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon ashtu si cdo ditë qytetarët, bizneset, që në mënyrë strikte të respektojnë zbatimin e masave të rekomanduara: distancën fizike, përdorimin e maskave në shërbim dhe kur nuk është e mundur të respektohet distanca, higjienën personale, dezinfektimin e ambienteve, ajrosjen e tyre, në mënyrë që të kufizohet përhapja e Covid19.