Ka nisur asfaltimi i kilometrave të parë në bypass-in e Vlorës, ndërsa synimi është që punimet të përfundojnë në shkurt të 2021. Aktualisht në këtë vepër ka nisur puna për hedhjen e shtresave bazike asfaltike dhe deri në fund të muajit korrik parashikohet të ketë përfunduar asfaltimi i afro 11.5 kilometrave.
Ministrja Belinda Balluku theksoi se bypass-i i Vlorës është një vepër shumë e rëndësishme, pasi janë 29 kilometra të vyera, të cilat do t?i bashkëngjiten pjesës tjetër që nis nga bypasss-i i Fierit të përfunduar tashmë, rrugës nga Levani deri në hyrje të Vlorës dhe duke vazhduar më pas me pjesën koncensionare nga Porti i Jahteve deri në Urën e Shën Elizës dhe shumë shpejt me tunelin e Llogarasë, për të cilin MIE ka lançuar garën për projektin inxhinierik të detajuar.
?I gjithë ky gjerdan infrastrukturor, i cili vihet në shërbim të jugut, duke filluar nga Vlora dhe duke përfunduar në Sarandë, së bashku me të gjitha punimet e rrugës Kardhiq-Delvinë, do të jenë një zhvillim infrastrukturor i rëndësishëm, por mbi të gjitha një nxitje ekonomike për të gjithë rajonin jugor të Shqipërisë, por sigurisht dhe për të gjithë vendin?, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sa i takon problematikave të evidentuara në këtë projekt, të cilat lidhen kryesisht me zonën e Kaninës, ministrja Balluku nënvizoi se përmes bashkëpunimit mes institucioneve qendrore dhe lokale si dhe dialogut me banorët e zonës, janë të gjitha mundësitë për t?i kaluar këto problematika në mënyrë që puna të vijojë pa asnjë ndërprerje.