KASHAR- Drejtoria e Patentave në Kashar ka rënë pre e vjedhjes gjatë orëve të natës!
Ka qenë sanitarja ajo që ka zbuluar se dy kasafortat e kësaj drejtorie janë vjedhur, teksa gazetari i Report Tv, Merin Maçi raporton se dyshohet se autorë të kësaj ngjarjeje janë dy persona ende të paidentifikuar.
Një prej kasafortave është lënë në zyrë, e boshatisur, teksa kasafortën tjetër autorët kanë arritur ta marrin. Nuk dihet ende se sa mund të jetë shuma që ata kanë arritur të marrin.
Për këtë grupi hetimor ka nisur hetimet, teksa ia vlen të thekson se kjo drejtori është e pajisur me kamera sigurie të cilat e kanë filmuar gjithë vjedhjen.
Njoftimi i policisë
Me datë 24.06.2020, rreth orës 07:45, është njoftuar salla operative se gjatë natës, në Kashar, dy persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë vjedhur kasafortën e një objekti. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si edhe për identifikimin dhe kapjen e autoreve.