Edhe një herë, partitë politike shqiptare dënojnë deklaratën e kreut të BDI-së Ali Ahmeti, i cili pretendon për përçarje të faktorit shqiptar si pasojë e ekzistimit të më shumë partive.
Numri i subjekteve politike nuk varet nga dëshira e një kryetari i një subjekti politik por subjektet politike janë çështje e vullnetit të qytetarëve. Hallet e shqiptarëve nuk vinë nga numri i subjekteve politike. Ato vinë nga të gjitha të këqijat dhe keqmenaxhimi i votës dhe i këtij vullneti. Të gjitha këto e kanë një emërues të përbashkët, ai është kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti - tha Skender Rexhepi, sekretar i përgjithshëm i Alternativës.
Nuk është z. Ali Ahmeti ai i cili e përcakton numrin e partive politike. Janë shqiptarët të cilët në zgjedhje japin verdiktin për partitë politike andaj edhe përcaktojnë se kush do të jetë parti politike në pozitë dhe opozitë. Sigurisht z. Ali Ahmeti është në kërkim të një alibie politike sepse edhe në momentin që nga 20 deputetë ra në 10 deputetë, fajin e kërkonte te partitë tjera politike shqiptare - u shpreh Flakron Bexheti, Aleanca për Shqiptarët.
Nuk ja vlen të komentohen deklaratat e atyre që gjatë gjithë kohës flasin për unifikim dhe reduktim blloqesh ndërsa punojnë në përçarjen e faktorit politik shqiptar. BDI është subjekti i vetëm politik pa asnjë kapacitet unifikimi dhe në skenën politike do të ketë më pak blloqe politike në momentin që BDI-ja do lirojë hapësirën e uzurpuar politike në të gjithë këto vite - thonë nga Lëvizja Besa.
Ahmeti, i ftuar në ?Opinion? deklaroi se beson që në vend nuk ka nevojë për më shumë se dy parti politike, me qëllim të realizimit të ideve, siç është ajo e kryeministrit shqiptar.
Unë mendoj që hë për hë shqiptarët duhet të etablohen në dy parti politike, në dy blloqe. Edhe maqedonasit janë të etabluar në dy blloqe. Akoma ne kemi nevojë të mbarojmë kauzën shqiptare sepse kauza nuk mund të ecë përpara pavarësisht deklarimeve -deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Fatlume Dervishi