Report TV - Rama në kantierin e ndërtimit në Fushë Krujë/ 600 mln $ për rindërtimin

2020-06-23 0

FUSHË- KRUJË- Kryeministri Edi Rama ka qenë ditën e sotme në Fushë- Krujë për të inspektuar punimet për rindërtimin e lagjes së re për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Në këtë lagje të re do të ndërtohen 100 apartamente dhe 128 njësi individuale, ku do të strehohen 1100 banorë. Lista me përfituesit, siç kryeministri Edi Rama sqaroi, është e mbyllur. E gjitha lagjja do të jetë e ndërtuar në një hapësirë prej 103 mijë m2, teksa shefi i qeverisë e cilësoi si një kthesë nga pikëpamja e arkitekturës.

"Krijon një gravitet të ri rreth e rrotull, se krijohet një lloj disipline e qëndrueshme. E pamundur që historia të vijoj si më parë, zona që krijojnë kthesa historie nga pikëpamja e arkitekturës. Gjithçka që do t'u ofrohet atyre që do prekën do të ofrohen shumë më shumë nga sa kishin. Lista se kush i përfiton këto banesa janë gati", tha Rama.

Kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi tha se kësaj hapësire do t'i bashkëngjitet edhe një treg, nisur nga fakti që është traditë e zonës. Nga ana tjetër, Rama tha se për këtë duhet një projekt i veçantë pa ta shndërruar atë në një treg model.

"Të bëhet një treg model, duhet bërë një projekt i veçantë që t'i bashkëngjitet se i shton shumë kapacitet nga pikëpamja komunitare dhe ajo ekonomike se transformimi i kushteve sjell një tjetër nivel të xhirove dhe ata që i shërbejnë dhe blejnë", tha Rama.

Për projektin e rindërtimit këtë vit do të shkojnë nga buxheti i shtetit 340 mln dollarë, sqaroi ministri Arben Ahmetaj, teksa në total brenda dy viteve do të dalin nga arkat e shtetit në total 600 mln dollarë.

"Me ndryshimet që bëjmë javën që vjen në buXhetin e shtetit, praktikisht do financohen 340 mln dollarë nga buxheti i shtetit për rindërtimin këtë vit, dhe 250 mln dollarë vitin tjetër vetëm nga fondet e buxhetit të shtetit", tha Ahmetaj.