TIRANË- 22 qershori shënon rinisjen e fluturimeve nga Aeroporti "Nënë Tereza", megjithatë kjo vlen vetëm për rezidentët, ato që janë arsye shëndetësore apo biznesi, ndërsa për qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë do vazhdojë të ketë kufizime.
Report Tv me gazetaren Eliza Gjediku ka bërë një vëzhgim në aeroport, ku shihet që qytetarët janë të pajisur me maska, kusht ky i vendosur nga ana e autoriteteve, por nuk respektohet distanca sociale prej minumumi prej 1.5 m mes pasagjerëve me njëri- tjetrin, para se të futen për të bërë check-in. Qytetarët kalojnë nga tuneli i dezinfektimit, e cila është e vetmja masë e marrë, e ndërsa nuk matet temperatura, siç është e parashikuar në protokoll dhe as nuk plotësohet formulari i historikut të qytetarëve. Të paktën kështu shprehen pasagjerët jashtë kameras, teksa punonjës të aeroportit pretendojnë të kundërtën.
Distancimi social nuk është kriter për pasagjerët në avion, pasi fluturimet kryhen me kapacitet të plotë, mjafton mbajtja e maskave, teksa kompanitë ajrore janë këshilluar që të mos shërbejnë ushqim për arsye sigurie.
Qytetarët shprehen se çmimet e biletave janë të arsyeshme.
"E kemi prerë biletën dje, kam qenë në spital dhe do të shkoj të shtrohem. Cmimi ishte i arsyeshëm, 85 euro. Do të qëndroj 5-6 ditë sa të bëhet vizita", tha për mikrofonin e Report Tv, një qytetar.